Një pikturë e cila paraqet një mulli, e cila mendohet se është realizuar nga mjeshtri hollandez Vincent Van Gogh u ekspozua dy ditë më parë pas qëndrimit për dekada me rradhë në magazinat e një muzeu provincial në Hollandë.
Ralph Keuning, drejtori i muzeut Fundatie, tha se e kishte gjetur këtë pikturë në vitin 2007. Unë dhe personeli i muzeut po iu hidhnim një sy arkave në depo kur gjetëm këtë pikturë e cila na pëlqeu menjëherë. Më pas pamë cilësinë e saj ndaj vendosëm t’i drejtoheshim muzeut Van Gogh për kërkime më të hollësishme në lidhje me të" tha Keuning.
Pasi ekspertët e Muzeut Van Gogh në Amsterdam arritën në përfundimin se piktura me titull "Mulliri me Fletë Blu" ishte vepër e artistit hollandez, piktura me ngjyra të shndritshme e cila paraqet një grup njerëzish rrreth një mulliri, u ekspozua në Museum De Fundatie në Zvole.
"E pamë me shumë kujdes pikturën, në aspektin teknik, e përsa i përkiste stilit, megjithatë ende nuk dimë prejardhjen e saj, shtysën për realizimin e saj. Ne kemi të dhëna në lidhje me kanavacën ku është punuar ajo, teknikën e përdorur ndaj mund të deklarojmë me bindje se bëhet fjalë vërtet për një Van Gogh" tha eksperti Luis Van Tilborgh.
Piktura, e sipas ekspertëve është realizuar në vitin 1886, u ble 35 vjet më parë nga Dirk Hannema, themeluesi i muzeut, i njohur si koleksionist arti me përvojë por u prit negativisht nga opinioni pasi ja atribuoi realizimin e saj piktorit hollandez Vermir në vitet 1930.
Hannema e ekspozoi pikturën në shtëpinë e tij deri sa u nda nga jeta në vitin 1984, më pas ajo u zhduk në depon e muzeut, për të dalë sërisht në dritë fare shkurtimisht vetëm në vitin 1993 e më pas në vitin 2007. Koleksionisti i artit pretendonte se kishte pasur edhe tre piktura të tjera të Van Gogh por Keuning tha se nuk kishte prova që e mbështesnin këtë.
















