Të afërmit e të zhdukurve në tragjedinë e 9 janarit, trupat e të cilëve nuk u janë gjendur akoma edhe sot nuk kërkojnë të përdoren as politikisht dhe as nga shoqata të tjera për qëllimet e tyre. Mark Grishaj, një nga familjarët e të zhdukurve në këtë tragjedi tregoi dje se një shoqatë emigrantësh në Itali i kërkoi daljen në protestë më 28 mars, për të protestuar për tragjedinë e Otrantos dhe të Gërdecit. “Unë i respektoj të gjithë ata që kanë humbur jetën në këtë tragjedi, por ngjarja e Otrantos e Gërdeci nuk kanë lidhje me hallin tonë. Ne kemi akoma edhe sot 8 bij nënash të zhdukur pa varr dhe një hetim në proces e sipër”, shprehet Grishaj. Duke marrë shkas nga kjo, ai kërkoi dhe një herë nga shteti që të zbardhet ngjarja e ndodhur 6 vite më parë, ku humbën jetën 28 persona, por trupat e 8 prej tyre nuk janë gjetur deri më sot.


















