Ajri në 6 qytetet më të mëdha në vend, Tiranë, Durrës, Shkodër, Vlorë, Fier dhe Korçë është tepër i ndotur. Rezultatet e monitorimit për vitin 2009 tregojnë se në këto qytete, niveli i ndotjes së ajrit është mjaft i lartë, veçanërisht përsa i përket grimcave totale që gjenden në ajër(LNP) dhe grimcave të respirueshme apo siç njihen ndryshe grimcave të pluhurit(PM 10), këto dy indikatorë janë tre herë më shumë se norma e lejuar.Sipas specialistëve të Institutit të Shëndetit Publik që kanë kryer këtë monitorim ndotja e ajrit në këto qytete, kapërcen dukshëm nivelin më të lartë të kufirit të “Objektivit të Ndërmjetëm” të përcaktuar prej Udhëzimeve mbi Cilësinë e Ajrit të OBSH si edhe standardet e cilësisë së ajrit të përdorur në vendet e Bashkimit Europian.
Por ajri i ndotur që thithin çdo ditë banorët e këtyre qendrave të mëdha urbane ndikon drejtpërsëdrejti në shëndetin e tyre, duke ulur jetëgjatësinë e banorëve, duke rritur vdekshmërinë si pasojë e sëmundjeve kardiovaskulare si dhe kontribuon në avancimin e sëmundjeve të zemrës dhe atyre respiratore. Ajri i ndotur ashpërson së tepërmi edhe simptomave tek personat azmatikë e veçanërisht shton numrin fëmijëve që lindin me këtë problem .
Por kjo nuk është e gjitha, krahas grimcave të ngurta që janë 2 deri në 3 herë më të larta se normat e lejuara nga OBSH, gjatë vitit, që sapo lamë pas është vërejtur edhe një rritje e dyoksidit të azotit(NO2), që vjen nga shkarkimi i gazeve të automjeteve, që janë gjithmonë e në rritje.
Në monitorimin e kryer specialistët japin alarmin se nëse do të vijojmë me këto ritme rritje brenda pak vitesh edhe ky gaz toksik do të kapërcejë normat e BE-së në ajrin urban të qyteteve kryesore te ne. Në Tiranë vlera e tij mesatare tashmë kapërcen normën e BE-së. E njejta gjë vërehet edhe për përmbajtjen e benzenit në ajër, që është një ndotës me veti të njohura kancerogjene.
Ajo çka vërehet në monitorimin e fundit të ajrit për 6 qendrat e mëdha është se niveli i ndotjes së ajrit nuk ka patur ndonjë përmirësim në 5 vitet e fundit. Duke qenë se ajri që ne thithim është mbi normat e BE vendi ynë klasifikohet në zonën e rrezikut shëndetësor.
PM 10 Gjatë pesë viteve të fundit në ajrin urban në Shqipëri
Viti 2005 2006 2007 2008 2009
Shkodra 107 100 101 108 112
Durrësi 91 93 100 116 121
Fieri 93 106 102 112 110
Tirana* 172 163 159 173 148
Korça 63 82 91 92 93
Vlora 72 86 89 86 87
Rezultatet mesatare,viti 2009
LNP PM 10
Shkodra 230 112
Durresi 250 121
Tirana* 323 148
Fieri 225 110
Korça 221 93
Vlora 212 87
Norma AL 140 70
Norma BE 80 50


















